
Urimi i ministres së Arsimit Lindita Nikolla për mësuesit
Nikolla: Gëzuar 7 Marsin! Gëzuar festën e mësuesit dhe shkollës shqipe!
I/E dashur
Sot është dita që të sjell urimet e festës nga nxënës, prindër e kolegë: nëse ende nuk e ke marrë nga një ish kolege, atëherë unë jam e para që të uroj:
Gëzuar 7 Marsin! Gëzuar festën e mësuesit dhe shkollës shqipe!
Unë e di pasionin, dashurinë dhe përkushtimin që Ti ndan çdo ditë me nxënësit e tu. Ëndrra për çdo nxënës fillon nga një mësues. Kështu ka qenë edhe për mua.
Nuk e ke filluar edhe ti ëndrrën tënde nga mësuesja jote? Unë po. Njoh mësuesen, mësuesit që i dhanë krah dhe jetësuan edhe ëndrrën e sime bije.
Shpesh pyes veten nëse në 16 vitet e mia të mësimdhënies u shërbeva dhe unë nxënësve të mi, siç u kërkova dhe mësuesve të sime bije.
Nuk di a ia dola që përmes punës së pandalur dhe të vërtetave të përbotshme të kultivoja dijen, po aq sa edhe sjelljen e qytetarisë demokratike.
Sa nxënës ndihmova të mësonin ndryshe përmes bashkëpunimit, debatit e të të ushtruarit?
Sa arrita të ngjall dëshirën për të ndryshuar edhe tek të tjerë, që në të kundërtën do të ishin në rrugë e problematikë për shoqërinë?
Përgjigjet përpiqem t’i gjej duke punuar së bashku me çdo mësues për kurrikulat dhe tekstet e reja, për programet e ndihmës për nxënësit e talentuar dhe me nevoja të veçanta, te klasat inteligjente, te shkolla qendër komunitare etj.
Mirënjohje edhe për kontributin tënd.
Si drejtuese e arsimit e di se Ti meriton edhe më shumë mbështetje. Vendosja e sistemit të ri të emërimit përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”, është një pikë e rëndësishme kthese, por ende kemi shumë për të bërë.
Vijojmë me një skemë të re kualifikimi, pasi, siç Ti e di, vlerësuam nevojat e secilit prej jush me një testim kombëtar.
Jam shumë e vendosur për të luftuar korrupsionin dhe larguar politikën nga shkolla, por më duhet edhe ndihma jote.
Nëse shkolla është vendi ku e ardhmja hedh rrënjë, atëherë po shkolla është vendi ku e tashmja kërkon përfshirjen e të gjithëve.
Ndjesë për emocionet e mia, por dhe më shumë ndjesë nëse diku nuk ia kam dalë të jem edhe zëri yt.
Gëzuar dhe suksese!
Përqafime,
Lindita
Te shkencat regjistrohen vetëm 27 studentë! Fizika, Matematika dhe Kimia rrezikojnë mbylljen
Të drejtat dhe detyrat e nxënësve, mësuesve e prindërve
Rritja e pagave, sa është dhe sa do të bëhet rroga e mësuesve nga 1 janari