Situata

Vëzhgim në shkolla për respektimin e masave antikovid, prindërit të pandërgjegjësuar

Rifillimi i shkollë në kushte pandemie i ka gjetur pothuajse të pandërgjegjësuar veçanërisht prindërit përsa i përket respektimit të rregullave anti COVID-19. Nuk respektohet distancimi social dhe maskat nuk mbahen. Ja se çfarë arriti të “shoh” Portali Shkollor Albas gjatë një vëzhgimi në disa shkolla.

Rifillimi i vitit të ri shkollor së bashku me masat e reja anti-Covid, i ka gjetur nxënësit, mësuesit por më së shumti prindërit jo të gatshëm për të zbatuar këto masa.  


Edhe pse për rreth dy muaj flitej çdo ditë nëpër media dhe nga institucionet përgjegjëse, për vetëdijesimin që duhet të kishin ndaj situatës dhe rikthimin e nxënësve në shkolla me një rregullore stikte, prindërit ende nuk janë mjaftueshëm të ndërgjegjësuar.


Kërkesa e prindërve ishte e madhe për rikthimin e fëmijëve të tyre në ambientet e shkollës, gjatë periudhës së karantinimit por dhe mbas saj, duke u shprehur të gatshëm se do të zbatonin çdo rregull mjaftonte që fëmijët e tyre t’u ktheheshin bangave të shkollës. 


Por tashmë që viti shkollor ka filluar, dhe është vetëm dita e dytë e orëve mësimore, dhe rregullat e distancimit social dhe çdo gjë tjetër janë mjaft të qarta, çfarë ndodh realisht nëpër ambientet e institucioneve arsimore? 

Sa të përgjegjshëm kanë qenë prindërit? 

A janë zbatuar rregullat e distancimit social në ambientet e shkollave, por dhe jashtë saj?


Në përpjekje për t’u dhënë një përgjigje të gjitha këtyre pyetjeve, por edhe shqetësimeve të ngritura nga ndjekësit e Portalit Shkollor Albas, në një temë diskutimi ditore në faqen e Facebook, ne kemi kryer një vëzhgim dy ditor në disa prej shkollave të Tiranës. 


Nga vëzhgimi i bërë, është vërejtur se problematika më e madhe vjen nga mos respektimi i distancës sociale nga vetë prindërit, ku teksa do të gjendeshit aty pranë, pothuajse nuk do të arrinit të kuptonit nëse po gjendeshit para dyerve të shkollave apo në një turmë të pa udhëzuar dhe pa drejtim! 


Vumë re se prindërit qëndronin thuajse të ngjeshur me njëri-tjetrin, pa më të voglin kujdes për të ruajtur veten, por edhe fëmijët që do t’i dorëzonin në shkollë. Edhe të vegjlit e tyre ishin pa maska gjithashtu. Kishte vështirësi kalimi prej turmës që fëmijët të mund të futeshin me radhë në shkollë, sepse të gjithë prindërit dyndeshin para portës së saj. 

Por vlen të përmendet se ka pasur edhe nga ata prindër, edhe pse shumë të pakët, të cilët kanë qenë të ndërgjegjësuar dhe përpiqeshin të respektonin rregullat.

Në tjetër problem që vumë re ishte edhe grumbullimi masiv i nxënësve në ndërrimin e turneve, pikërisht kur fëmijët dorëzoheshin nga mësuesit mbas mbarimit të orëve mësimore. As në këtë moment distanca sociale nuk respektohej. 

Në i kemi pyetur prindërit se përse nuk i respektonin rregullat, dhe pse nuk i vendosin maskat dhe ata janë shprehur se mjaftohen me mbajtjen e distancës dhe që nuk kanë nevojë për maskë.

Si për paradoks ata kanë thënë se janë gjithsesi të frikësuar mbi sigurinë e fëmijës në ambientet e shkollës. 


"Ne jemi të vetëdijshëm që nuk ka distancë sociale dhe masat nuk respektohen si duhen, por nuk kemi çfarë të bëjmë jemi të detyruar t'i rikthejmë fëmijët në shkollë për progresin e tyre në mësime", shprehet Mirela, nënë e një vajze në klasën e parë në shkollën 9-vjeçare "Shkolla e Kuqe", që për arsye personale nuk pranoi të prononcohet me emrin e plotë. Ajo ka shtuar se as vetë ata si prindër nuk kanë çfarë të bëjnë, sepse edhe pse i pajisin fëmijët e tyre me maskë, mësueset nuk këmbëngulin që nxënësit t'i mbajnë maskat edhe në ambientet e klasës. 


Një tjetër shqetësim që vjen nga prindërit është ai në lidhje me zhvillimin e mësim me turne, oraret e pazakonta, por edhe për plotësimin e formularit të vetë deklarimit të shëndetit të fëmijës. 

"Fëmijët tanë ndihen të frikësuar, nuk dëshirojnë të fillojnë mësimin aq herët. Unë e zgjoj fëmijën që në orën gjashtë e gjysmë të mëngjesit për ta bërë gati", shprehet Ana, nëna e një djali në shkollën 9-vjeçare "7 Marsi". 


Por jo më pak i rëndësishëm ishte fakti se dhe vetë nxënësit nuk janë të kënaqur nga rifillimi i shkollës. Ndihen të frikësuar mbi ecurinë e tyre në shkollë, dhe shumë në ankth mbi respektimin e distancës sociale.

"Maskat na morën frymën, duhet t'i mbajmë kur shkojmë në shtëpi janë bërë ujë me djersë, e kemi të pamundur që mësuesja të na kuptojë çfarë ne flasim, dhe nuk e dëgjojmë shumë mirë se çfarë ajo na shpjegon", shprehet Klea, nxënëse e "Shkollës së Kuqe". 

Ndërkohë sa i përket temës së ditës që në kemi vënë në dispozicionin e ndjekësve të Portalit Shkollor Albas për të biseduar dhe komentuar rreth zbatimit të masave anti-kovid në shkolla, komentet kanë qenë të shumta por vlen të përmenden disa prej tyre:


"Për sa i përket brenda mureve dhe dyerve të shkollës masat janë respektuar. Të paktën dje dhe sot mesa jam në dijeni. Por nuk është respektuar fare nga prindërit jashtë porte. Mesi e çava dje turmën që të më hapej rruga e të fusja djalin 8 vjeçar. Me erdhi turp nga ajo pamje. Ishte skandaloze, si kope", shkruan Doriana Celaj Veliu, një prej komentueseve.


"Ndoshta masat janë respektuar nga mësuesit në shkolla. Kanë rregull në brendësi të shkollës, por jashtë portës së shkollës njerëzit lenë për të dëshiruar: pa maska, pa distancim fizik. Se marrë vesh kaq e vështirë është për tu ndërgjegjësuar?", shprehet Malorana Nushi.


“Duhet bërë urgjentisht një urdhër për prindërit sepse në dyert e shkollave krijohet një kaos nga prindër të pa përgjegjshëm që rrinë grumbull, pa rregull, duke ditur që distanca nuk po ruhet prej tyre. Ndërsa shkolla brenda mesa thonë fëmijët deri tani, protokolli po zbatohet 100% falë dhe përkushtimit dhe kujdesit të mësuesve përkatës së klasës”, shprehet Erjona Eri.


Sakaqë, një tjetër thyerje e rregullit, dhe shumë e rëndësishme është dhe fakti që prindërit futen në ambientet e shkollës për t'i marrë vetë fëmijët e tyre nëpër klasa, edhe pse ndalohen nga roja i shkollës, si zbatues i rregullave apo i protokollit të sigurisë. Edhe pse ishte premtuar se ky rregull nuk do të thyhej për asnjë lloj arsye, por duket se këto rregulla nuk janë kuptuar aq sa duhet, si nga prindërit ashtu edhe nga institucionet përkatëse.


Bazuar mbi faktet e sipërpërmendura, por dhe nga intervistat që ne kemi zhvilluar, lë të kuptohet se është emergjent ndërgjegjësimi që duhet të bëjnë prindërit mbi situatën e pandemisë, veçanërisht në shkolla. Nëse situata do vazhdojë të vijojë e tillë dhe pa asnjë lloj ndërgjegjësimi, me siguri gjithçka që do të vijë më pas, e sigurt që nuk do të jetë në të mirë të askujt. Ndaj në të mirë të fëmijëve tuaj, në të mirë dhe të gjithë shoqërisë mbi rrezikun që po i kanosni, përpiquni të reflektoni prindër!

 Bëjeni për fëmijën tuaj! Për të mirën e shoqërisë ! Që në fund të kësaj situate të dalim të gjithë të fituar!


Përgatiti Marina Kërçeli

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,741 Lexime
3 vjet më parë