Aktualitet

Vitin e ardhshëm shkollor do të rritet numri i punonjësve psiko-socialë dhe mësuesve ndihmës

Vitin e ardhshëm shkollor 2022–2023 ekipeve të shkollave do t’u shtohen edhe 235 punonjës të rinj psiko-socialë dhe 250 mësues ndihmës. Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi nëpërmjet një videoje në rrjete sociale.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi nëpërmjet një videoje në rrjete sociale ka ndarë lajmin e mirë që vitin e ardhshëm shkollor 2022–2023 do tu shtohen ekipeve të shkollave edhe 235 punonjës të rinj psiko-socialë dhe 250 mësues ndihmës.


Sipas ministres, këto vendime jo vetëm që do të shërbejnë më tej për rritjen e cilësisë në sistemin arsimor, por do të garantojnë edhe më shumë gjithëpërfshirje, mbrojtje dhe siguri për nxënësit në mjediset arsimore.


Mesazhi i plotë i Ministres Evis Kushi: 

"Përshëndetje të gjithëve!

Dëshiroj të ndaj me ju dy vendime të rëndësishme që kemi marrë së fundmi në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit për vitin e ardhshëm shkollor 2022-2023.

Janë 2 vendime që rrisin më tej cilësinë e arsimit, gjithëpërfshirjen dhe garantojnë më shumë mbrojtje dhe siguri për nxënësit në mjediset tona arsimore.

Vendimi i parë ka të bëjë me rritjen e mëtejshme të numrit të punonjësve psiko-socialë. Vitin e kaluar ne e dyfishuam këtë numër dhe sot kemi 634 punonjës psiko-socialë në shkollat e gjithë Shqipërisë.

Por nisur nga rëndësia dhe nevojat që kanë nxënësit dhe mësuesit tanë për këtë shërbim, sot kemi vendosur ta rrisim edhe më tej numrin e tyre me 235 punonjës të rinj. 

Në këtë mënyrë, ne do të kemi më shumë punonjës të dedikuar për këtë shërbim në shkollat tona, duke rritur cilësinë dhe duke u përafruar më shumë me standardet bashkëkohore për numrin e nxënësve që  duhet të mbulojë me shërbim një punonjës psiko-social.

Ndërkohë, nëpërmjet këtij vendimi ne rrisim cilësinë e shërbimit jo vetëm në shkollat e qyteteve, por edhe në shkollat më të largëta, ku deri me sot ka qenë më e vështirë vendosja e një punonjësi psiko-social për çdo shkollë.

Vendimi i dytë  ka të bëjë me rritjen e numrit të mësuesve ndihmës me 250 mësues në të gjithë Shqipërinë, çka nënkupton që vitin e ardhshëm do te kemi mbi 1700 mësues ndihmës, duke iu afruar kështu më shumë standardeve të BE-së, me 1 mësues për 2 nxënës me aftësi ndryshe.

Dua të ftoj të gjithë mësuesit, prindërit dhe drejtuesit e shkollave që të bashkëpunojnë sa më ngushtë me njëri tjetrin dhe zyrat arsimore, në mënyrë që fëmijët me aftësi ndryshe të marrin të gjithë vëmendjen e duhur që në fazë të hershme, dhe të përfitojnë një shërbim sa më cilësor nga mësuesit ndihmës.

Ndërkohë ne do të vijojmë të punojmë intensivisht për trajnimet e vazhdueshme dhe rritjen e kapaciteteve profesionale, jo vetëm të punonjësve të rinj, por edhe atyre tashmë me përvojë në sistem, sepse fëmijët tanë meritojnë më të mirën."




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,202 Lexime
1 vit më parë