Zv. ministri i Mbrojtjes u takua me nxënës të gjimnazit
Zv. ministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, në kuadër të fushatës sensibilizuese për rekrutimin në FA, u takua me nxënës të gjimnazit “Havzi Nela” në Kukës
Zv. ministri i Mbrojtjes, z. Petro Koçi, në vijim të takimeve që po zhvillohen nga Ministria e Mbrojtjes në kuadër të fushatës sensibilizuese për rekrutimin në FA, u takua me nxënës të gjimnazit “Havzi Nela” në Kukës.
Në fillim nxënësit i ka përshëndetur komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Nazmi Cahani, i cili është bir i kësaj zone. Ai vlerësoi ushtarakët që shërbejnë në FA dhe që vijnë nga Kukësi, ku ndër të tjerë përmendi edhe djalin e drejtorit të Drejtorisë Arsimore të këtij qarku, që shërben në FA. Të bëhesh pjesë e FA është krenari sepse i shërben atdheut, por edhe paqes në botë, është shprehur gjeneral brigade Cahani.
Duke marë fjalën në këtë takim, zv.ministri i Mbrojtjes Petro Koçi, theksoi se, ndjehet krenar dhe i emocionuar që ndodhet sot në Kukësin legjendar të mikëpritjes dhe të shqiptarizmit. “Kur vjen në Kukës, na mbushet shpirti edhe më shumë me dashuri për atdheun, për Shqipërinë e për Kosovën. Dhe kjo është në radhë të parë meritë e kuksianëve që sidomos në vitin e vështirë kombëtar 1999, ia diti t’i bënte ballë detyrës, duke mikpritur vëllezërit dhe motrat tona nga Kosova, në atë situatë të vështirë të spastrimit etnik të regjimit të Millosheviçit”.
Duke u ndalur në rekrutimin në FA, ai theksoi se, kriteri i parë që të jesh në Forcën tonë të Armatosur është që ta duash më shumë se të tjerët atdheun, ta duash më shumë se të tjerët flamurin tonë kuqezi, flamurin tonë kombëtar. Dhe kjo garanci është, natyrisht, në radhë të parë në Kukës, prandaj ne vijmë këtu duke ju parë në sy dhe duke ju ftuar që të bëheni pjesë e Forcës tonë të Armatosur, sepse nuk do të jetë vetëm mirë për ju, por do të jetë mirë edhe për Republikën e Shqipërisë.
Më tej, z. Koçi tha se, në çdo sondazh që është bërë pjesa më e respektuar e shtetit mbetet FA, mbetet ushtaraku. Kjo ndodh sepse ushtarakët, ndryshe ndoshta nga pjesa tjetër e strukturës shtetërore apo dhe shoqërore, shpalosin gjithmonë, së pari, vlera morale të jashtëzakonshme, vlera kombëtare, vlera të gatishmërisë për të përballuar misionet, detyrat sidomos në rastet e emergjencave, të cilat kanë ndodhur edhe në Kukës kur ka pasur reshje të shumta dëbore, përmbytje apo zjarre gjatë verës dhe kjo e ka rritur respektin e komunitetit për FA. Prandaj është një shans shumë i mirë që ju jepet për të qenë pjesë e kësaj force, sepse do të jeni pjesë e një strukture të nderuar dhe të respektuar nga publiku, ka nënvizuar z. Koçi.
Në vijim, zv.ministri i Mbrojtjes, theksoi se, sot ne jemi krenarë kur marrim vlerësime nga vendet aleate për rolin që luajn ushtarakët tanë në misione ndërkombëtare. “Natyrisht që janë misione me rreziqe që kërkojnë djem dhe vajza që kanë kurajo, që kanë adrenalinë për ta bërë dhe për ta përballuar rrezikun. Shumë prej jush që do të jenë pjesë e FA do të bëhen forca Komando, mund të jenë pjesë e Forcave Speciale, mund të jenë detarë që do të përballojnë rreziqet e detit, mund të jenë pilotë të helikopterëve që do të përballojnë rreziqet e motit, do të jenë pjesë e misioneve që shpëtojnë jetë njerëzish në operacionet e kërkim- shpëtimit. Prandaj mendoj se po të jeni pjesë e FA do të jeni edhe më të rëndësishëm dhe ne duam që ju ta luani këtë rol të rëndësishëm”, - ka përfunduar zv.ministri i Mbrojtjes.
Në këtë takim zv.ministri i Mbrojtjes Petro Koçi është shoqëruar nga komandanti i Forcës Tokësore, gjeneral brigade Nazmi Cahani, komandanti i QPR-së, kolonel Leonard Çoku, drejtori i Drejtorisë Arsimore të qarkut të Kukësit, drejtori i gjimnazit “Havzi Nela” etj.
Kalendari dhe listat e kandidatëve për Portalin "Mësues për Shqipërinë" 2024
Lista e kandidatëve të renditur sipas pikëve në Portalin “Mësues për Shqipërinë” 2024
Hartimi i projektit kurrikular