Kurrikula e re

Orë të hapura mësimore në shkollën “Sami Frashëri”

Në gjimnazin “Sami Frashëri” u zhvilluan zhvilluan orë të hapura në lëndën e qytetarisë dhe në lëndën e letërsisë, me mësuese Marsidën dhe mësuese Aleksandrën.

Në të gjithë vendin drejtoritë e shkollave në bashkëpunim me stafin pedagogjik po zhvillojnë orë të hapura mësimore. Kështu prindërit janë ftuar të ndjekin nga afër punën që bëjnë mësuesit me fëmijët e tyre si dhe të vlerësojnë kurrikulën e re. Në gjimnazin “Sami Frashëri” u zhvilluan orë të hapura në lëndën e qytetarisë dhe në lëndën e letërsisë, me mësuese Marsida Shehi dhe mësuese Aleksandra Janaqi.

Ora e mësimit u ndoq nga: përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, përfaqësues të Drejtorisë Arsimore, prindër, drejtoresha e shkollës Teuta Dobi, shefat e departamenteve dhe mësues. Në bazë të kurrikulës së re mësimi zhvillohet mbi bazën e kompetencave. 

Ambienti ishte i këndshëm dhe mikpritës. I organizuar deri në detaje. Klasa e rregullt, e pastër, e dekoruar me punime të nxënësve, ndërsa në mure të ekspozuara me kujdes fotografi të personaliteteve të fushave të ndryshme të cilët janë ish nxënës të kësaj shkolle. Radhët e fundit të karrigeve ishin përgatitur për të ftuarit, për ata që do të ndjekin këtë orë mësimi. Ndërsa nxënësit e ulur në tavolina të rrumbullakëta, të organizuar në grupe.

Ishte një atmosferë që në një farë mënyre të impononte të mendoje patjetër për sigurinë rrugore. Teksa të gjithë zinin vendet për të nisur orën e mësimit, klasa u mbush me tabela në të cilat ndodhen sinjalet rrugore, fletëpalosje me këshilla, pankarta me çështje të caktuara që tregonin shkelje teksa diku me germa të mëdha bëhej thirrje për të mos shkelur rregullat e qarkullimit sepse rrezikohet jeta.

Nxënësit kishin realizuar video në të cilin tregonin se si shkeleshin rregullat e qarkullimit: njerëz që kalonin rrugën aty ku nuk kishte vija ta bardha, njerëz që kalonin rrugën kur semafori ishte i kuq, njerëz që ecnin në korsinë e biçikletave dhe biçikleta në rrugën e këmbësorëve; drejtues automjetesh me telefona në dorë, pa vendosur rripin e sigurimit, nën moshë e si rezultat edhe pa patentë... e më pas shfaqej forma e rregullt ku të gjithë respektonin sinjalistikën rrugore duke u treguar qytetarë të denjë.


Shikoni videon duke klikuar këtu

Klasa ishte organizuar në 7 grupe dhe gjithsecili grup kishte një çështje të temës për të diskutuar. Koha ishte e limituar dhe të gjithë duhet të flisnin. Ishte sfida e parë e tyre të respektonin kohën dhe t’iu jepnin mundësi të gjithëve të tregonin se sa ishin përgatitur. Çdo grup kishte në dispozicion 3-4 minuta për të folur, për të diskutuar. Kryetarët e grupeve kishin ndarë punët, e pa humbur kohë fjala kalonte nga një nxënës tek një tjetër e më pas nga grupi në grup, si një melodi e bukur ku secila notë është e rëndësishme dhe muzika nuk është e plotë nëse diçka mungon.

Nuk mund të mungonin në këtë orë tekstet digjitale. Teksa mësuese Marsida merrte fjalën për të shpjeguar apo për të shtuar diçka në ndihmë të saj ishte teksti digjital. Materialet që kishte për këtë orë mësimi ishin të ngarkuara në tekstin digjital duke e bërë kështu më të lehtë mësimdhënien dhe mësimnxënien.

E veçanta është se nxënësit pranojnë që kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor dhe premtojnë që do të jenë më të kujdesshëm. Ata e dinë që ndryshimi duhet filluar nga vetja dhe që hapi i parë i ndryshimit është pranimi i gabimit.

Pas përfundimit të grupit të gjashtë, fjalën e merr punonjësja e policisë e cila ishte pjesëmarrëse në këtë orë mësimi. Ajo informon nxënësit për masat që parashikon ligji për këmbësorët që shkelin rregullat e qarkullimit. E pikërisht këtu ndërhyn grupi i fundit, grupi i shtatë, pasi kjo është pika për të cilën janë përgatitur të diskutojnë. Njëri pas tjetrit anëtarët e grupit të shtatë diskutojnë për ligjin, çfarë parashikon ai, masat që merren për secilën kategori shkelësish etj.

Mesazhi i fundit do të përcillet nga të gjithë në fund të orës së mësimit. Të gjithë nxënësit me një tabelë dhe duke shpjeguar shenjën rrugore dalin përpara klasës. Në pak minuta përpara nesh janë jo vetëm nxënësit, por të gjitha tabelat që drejtojnë qarkullimin rrugor. 

Drejtoresha e shkollës, vlerësoi orën e mësimit të realizuar dhe uroi që të gjithë së bashku të kenë shumë më shumë suksese. Gjatë fjalës së saj, ajo tha se e shikon këtë orë mësimi në dy këndvështrime, fillimisht si mësuese e më pas edhe si prind.

Pas kësaj, është radha e orës së letërsisë me mësuese Aleksandrën. Klasa është organizuar në grupe dhe secili grup ka detyrën e tij. Do të flasin për veprën “Don Kishoti i Mançes”.

Konkretizimi i një ore model me në qendër librin digjital dhe kreativitetin e nxënësve. Gërshetimi njëherësh i disa metodave të mësimdhënies: pesëvargëshi, puna në grupe, diskutimi, harta e mendimeve, kllaster, diagrami i Venit etj. Nxënësit ishin secili më kreativ se tjetri lidhur me mesazhet e përcjella nga vepra. 

Organizimin e orës së hapur në lëndën e letërsisë mund ta gjeni këtu


(Albina Hoxhaj, Portali Shkollor)




3,222 Lexime
7 vjet më parë