
Testimi i klasave të pesta, 22 maj – Këshilla, modele testesh dhe qetësi për nxënës e prindër
Nesër, më 22 maj, zhvillohet testimi kombëtar për klasat e pesta. Portali Shkollor u uron suksese të gjithë nxënësve dhe fton edhe prindërit të ruajnë qetësinë. Rëndësia e një ambienti të qetë dhe mbështetës është thelbësore. Më poshtë gjeni modele testesh, përfshirë edhe për nxënësit me aftësi të veçanta.
Nga Nanila Allkja Biçaku
Të kuptojmë dhe të ruajmë qetësinë përpara provimit VANAF, një thirrje për nxënësit, prindërit dhe mësuesit
Më 22 maj 2025, të gjithë nxënësit e klasave të pesta në Shqipëri do t’i nënshtrohen Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve të Arsimit Fillor (VANAF). Ky provim, tashmë i institucionalizuar prej disa vitesh në sistemin tonë arsimor, shpesh krijon ankth, pyetje dhe ngarkesë emocionale te fëmijët, por edhe te prindërit dhe mësuesit. Ndaj është e rëndësishme të theksojmë rolin informues dhe jo penalizues që ky test ka dhe nevojën për ta përballuar me qetësi, mirëkuptim dhe mbështetje të ndërsjellë.
Çfarë është VANAF dhe pse bëhet?
Ky vlerësim organizohet nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) dhe synon të masë kompetencat që nxënësi ka fituar në përfundim të arsimit fillor. Ai shërben për:
- Të identifikuar nivelin e njohurive dhe aftësive të nxënësve në gjuhë shqipe, matematikë dhe dituri natyre.
- Të analizuar anët e forta dhe dobësitë në procesin e të nxënit.
- Të dhënë rekomandime për përmirësime në sistemin arsimor.
- Të ndihmuar institucionet për të ndërmarrë vendimmarrje të informuara në funksion të cilësisë në arsim.
Ky test nuk ka ndikim në kalimin e nxënësve nga klasa e pestë në të gjashtën. Ai vlerësohet me pikë, jo me notë, dhe nuk pasqyrohet në dëftesën e nxënësit.
Qetësia është çelësi: një apel për prindërit dhe mësuesit
Në një intervistë dhënë më parë për Portalin Shkollor, ish-drejtoresha e QSHA, znj. Rezana Vrapi, thekson se prindërit nuk duhet të shqetësohen, por përkundrazi, ta shohin këtë si një mundësi për të kuptuar më mirë fëmijët e tyre, se ku kanë më shumë nevojë për mbështetje, për të mos lejuar që boshllëqet e krijuara të ndikojnë më tej në shkollim.
Një mesazh i qartë që znj. Vrapi ka dhënë për të gjithë është:
“Të mos i lodhin me fjalën test. Të vazhdojnë normalisht punën me ta.”
Mësuesit, nga ana tjetër, janë të ftuar të përqendrohen jo te mësimi mekanik apo riprodhimi i njohurive, por në nxitjen e kompetencave zbatuese, mendimit kritik dhe reflektimit personal. Praktikimi i pyetjeve që kërkojnë zbatim në situata reale është shumë më efikas dhe miqësor për zhvillimin e aftësive afatgjata.
Nxënësit: më pak ankth, më shumë vetëbesim
Nxënësit e klasave të pesta duhet ta dinë se askush nuk pret nga ata të jenë perfektë. Askujt nuk i kërkohet të mësojë faqe të tëra përmendësh apo të dijë gjithçka. Testi nuk mat memorizimin, por aftësinë për të përdorur njohuritë në mënyrë të kuptuar. Ky është një ushtrim për të përballuar një provim standard, që do t’u shërbejë në rrugëtimin e tyre të mëtejshëm arsimor. Duhet ta shohin si një sfidë pozitive, jo si një ndëshkim.
Rëndësia e përqafimit emocional dhe mbështetjes
Nëse shohim komentet e prindërve në rrjetet sociale, vihet re një shqetësim i përbashkët: a po e stresojmë fëmijën tim me këtë test? Ky shqetësim është i drejtë dhe njerëzor. Por përgjigjja më e mirë vjen nga vetë natyra e këtij vlerësimi: ai nuk ka asnjë ndikim penalizues dhe është ndërtuar në mënyrë të balancuar, ku 80% e pyetjeve janë të nivelit të thjeshtë dhe të mesëm.
Për një kulturë të re vlerësimi, një ftesë për reflektim dhe bashkëpunim
QSHA thekson se çdo test që ajo ndërmerr është etik, teknikisht korrekt dhe në përputhje me standardet e kurrikulës. Qëllimi nuk është nota, por cilësia e të nxënit, që vjen nga përputhja mes qëllimeve, pedagogjisë dhe mënyrës së vlerësimit. Le të shndërrohet ky moment në një mundësi për rritje për të gjithë: për nxënësit që mësojnë të përballen me sfida, për mësuesit që reflektojnë mbi cilësinë e punës së tyre, dhe për prindërit që afrohen më shumë me fëmijët e tyre në një udhëtim që kërkon durim, qetësi dhe përkrahje. 22 maji nuk është një ditë prove për fëmijët tanë, por një ditë për të dëgjuar zërin e tyre, se ku janë dhe si mund t’i ndihmojmë më mirë.
TESTE PËR T’U PRAKTIKUAR SË BASHKU: PRINDËR, MËSUES E NXËNËS NË PËRGATITJE PËR 22 MAJIN
Më poshtë të gjithë të interesuarit do të gjejnë modele testesh të përgatitura ndër vite nga Portali Shkollor për testimin kombëtar të nxënësve të klasave të pesta. Kemi menduar edhe për fëmijët me aftësi të veçanta, ndaj do të gjeni një test të posaçëm të përshtatur për ta. Të gjitha testet janë të aksesueshme nëpërmjet lidhjeve më poshtë.
Model testi për nxënësit me AK
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Etika nën presion/ Gazetarja Marieta Mërkuri: Si e deformon mesatarja arsimin dhe çfarë duhet ndryshuar?
Drejtoresha Anila Çota rrëfen rrugëtimin e shkollës “Qamil Guranjaku” si fituese e vendit të dytë në Konkursin e Gjuhës Shqipe
Si të bëhesh oficer sigurie në shkolla? Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Ja procedurat, kriteret dhe ndryshimet në VKM nr. 600